Takimi I Menaxherëve të Infrastrukturës të Ballkanit Perëndimor

Me datën 09.02.2022 në Shkup të Maqedonisë së Veriut është mbajtur takimi i Menaxherëve të Infrastrukturës Hekurudhore i Ballkanit Perëndimor, takim ky i udhëhequr nga Sekretariati i Komunitetit të Transportit i cili është krijuar sipas Traktatit mbi Themelimin e Komunitetit të Transportit për Ballkanin Perëndimor dhe është nënshkruar dhe miratuar nga Komisioni Evropian dhe 6 (gjashtë) vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2017, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Në këtë takim të rëndësisë së veçantë ka marrë pjesë UD i Kryeshefit Ekzekutiv të INFRAKOS-it z. Zymer Zekaj i cili ka përfaqësuar dhe prezantuar zhvillimet e deritanishme të infrastrukturës hekurudhore të Kosovës, përfshirë këtu objektivat e kompanisë dhe të shtetit të Kosovës, si dhe mundësitë dhe sfidat të cilat i ka INFRAKOS-i për zhvillimet e mëtejme.

Takimi në fjalë ishte si vazhdimësi e Samitit mbi Hekurudhat për Ballkanin Perëndimor i cili është mbajtur më 13.09.2021 me ç’rast ishte nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Menaxherëve të Infrastrukturës të Ballkanit Perëndimor mbi bashkëpunimin i cili nënkupton zbatimin e agjendës së Konektivitetit të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në takimin e Shkupit është diskutuar mundësia e bashkëpunimit ndërmjet Menaxherëve të Infrastrukturës te të gjashtë vendeve, përfshirë këtu organizimin e zhvillimit të transportit hekurudhor të udhëtarëve dhe mallrave përmes kontrollimit të përbashkët të kalimeve kufitare, harmonizimit të rregulloreve dhe legjislacionit, si dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta në interes të rajonit.

Ndër çështjet e diskutuara të rëndësisë së veçantë ishte edhe Rregulloja e punës e cila përcakton mënyrën e veprimit të Rrjetit të Infrastrukturës Hekurudhore të Menaxherëve të Ballkanin Perëndimor (RINM – WB).  INFRAKOS-i ishte shumë aktiv në  ofrimin e komenteve për këtë rregullore tejet të rëndësishme e cila do ta përcakton punën dhe veprimin e ardhshëm të (RINM – WB).

Një çështje tjetër e rëndësishme e cila u diskutua në këtë takim kishte të bëjë me mungesën e stafit profesional për mirëmbajtjen e infrastrukturës hekurudhore dhe Menaxherët e Infrastrukturës u pajtuan që të gjendet  mundësia e hapjes së një institucioni të përbashkët të trajnimit dhe shkollimit të kuadrove të nevojshme për infrastrukturën hekurudhore.

Me propozimin e Sekretariatit të Komunitetit të Transportit si kryesues i RINM WB u zgjodh Kryeshefi Ekzekutiv i Infrastrukturës së Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut, ndërsa zëvendësi i tij u propozua që të zgjidhet sipas renditjes alfabetike. Kryesuesi dhe zëvendësi i tij do të kenë mandat një apo dyvjeçar (kjo mbetet të vendoset), ndërsa emërimet e ardhshme do të shkojnë sipas rotacionit.